Kombëtarja e Iranit ka mbërritur në Tijuana të Meksikës për të vijuar përgatitjet para Kupës së Botës 2026, në një atmosferë të pazakontë sigurie pas problemeve me vizat amerikane për disa anëtarë të stafit.
Delegacioni iranian u prit nën masa të rrepta sigurie, ndërsa autoritetet meksikane kanë angazhuar forca të shumta për mbrojtjen e ekipit gjatë qëndrimit në vend. Sipas raportimeve, disa zyrtarë dhe pjesëtarë të stafit teknik nuk kanë marrë leje hyrjeje në Shtetet e Bashkuara, çka detyroi Iranin ta zhvendosë bazën e tij nga Arizona në Tijuana.
Federata Iraniane e Futbollit ka kritikuar vendimin e autoriteteve amerikane, duke pretenduar se disa figura kyçe të ekipit janë penguar të marrin pjesë normalisht në turne.
Pavarësisht vështirësive, futbollistët iranianë kanë marrë vizat dhe do të udhëtojnë drejt SHBA-së vetëm për ndeshjet e fazës së grupeve. Irani do të luajë ndaj Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjiptit në ndeshjet e para të Botërorit.
Stërvitjet e ekipit pritet të zhvillohen larg vëmendjes së publikut dhe mediave, ndërsa siguria do të jetë një nga prioritetet kryesore gjatë gjithë qëndrimit të Iranit në Kupën e Botës 2026

