Një tifoz anglez ka tërhequr vëmendjen me vendimin e tij të pazakontë për të shitur shtëpinë, vetëm që të sigurojë fondet për të ndjekur nga afër Kupën e Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Endi Miln, 62 vjeç, ish-mësues i pensionuar nga Çeshire, ka bërë të ditur se po planifikon të shesë pronën e tij për rreth 350 mijë paund, me qëllim që të përmbushë ëndrrën e tij si tifoz i përkushtuar i Anglisë.
Miln nuk është një tifoz i zakonshëm. Botërori 2026 pritet të jetë turneu i dhjetë madhor që ai do ta ndjekë nga afër, pasi më parë ka qenë prezent në nëntë edicione të Kupës së Botës për meshkuj dhe në Botërorin e femrave në vitin 2023.
Aktualisht ai jeton në Tajlandë, ndërsa pronën në veri të Anglisë e jep me qira. Sipas tij, tani është momenti i duhur për ta shitur shtëpinë dhe për të financuar aventurën e radhës me “Tre Luanët”.
“E nxjerr në shitje sepse dua të shkoj në Botëror. Dua të ndjek të gjithë turneun dhe e di që do të më kushtojë shumë”, ka deklaruar Miln për mediat britanike.
Për të ulur shpenzimet, ai planifikon të qëndrojë te miqtë e tij në SHBA, Meksikë dhe Kanada gjatë turneut.
Ndërkohë, Botërori 2026 është shoqëruar me kritika nga tifozët për çmimet e larta të biletave dhe kostot e udhëtimit, të cilat në disa raste arrijnë në mijëra paund për ndeshjet më të kërkuara. Megjithatë, për Miln, pasioni për Anglinë duket se vlen më shumë se çdo kosto financiare.

