Riola Xhemaili ishte një nga protagonistet kryesore në fitoren e thellë 6:1 të Zvicrës ndaj Maltës në kuadër të Grupit 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Futbollistja me prejardhje shqiptare realizoi dy gola, por përjetoi edhe një moment të rrallë në karrierë, duke humbur penalltinë e parë si profesioniste. Pavarësisht kësaj, Zvicra siguroi vendin e parë në grup me 13 pikë pas pesë ndeshjeve, duke siguruar promovimin në Ligën A dhe një vend në plejofin për Botërorin 2027 që do të mbahet në Brazil.
Pas ndeshjes, Xhemaili pati një takim të veçantë me ish-futbollistin e njohur zviceran me rrënjë shqiptare, Valon Behrami, i cili ishte i pranishëm në stadium së bashku me bashkëshorten e tij, skiatoren e famshme Lara Gut-Behrami.
“Valon Behrami më tha se edhe më të mirët humbin penallti. Dhe nëse Behrami thotë kështu, atëherë është e vërtetë”, deklaroi Xhemaili pas ndeshjes.
Mesfushorja e PSV Eindhovenit tregoi gjithashtu admirimin që ka pasur për Behramin që nga fëmijëria.
“Kur isha e vogël, babai më thoshte se duhet të jap çdo gjë nga vetja, si Valoni. Sot e takova dhe duhet të them se është shumë i mirë”, u shpreh ajo.
Xhemaili e vlerësoi paraqitjen e skuadrës si shumë pozitive, duke theksuar se Zvicra zhvilloi një ndeshje të mirë dhe realizoi gola të bukur në rrugën drejt një tjetër suksesi të rëndësishëm.

