Lideri demokrat Sali Berisha ka dalë me një sqarim zyrtar në lidhje me protestën qytetare që po zhvillohet prej tetë ditësh në Tiranë, ku kërkohet tërheqja e projektit për Zvërnecin, largimi i Edi Ramës dhe nuk kanë munguar edhe thirrjet për ikjen e Berishës gjithashtu nga drejtimi i opozitës.
Nisur nga shkrimet dhe komentet e mediave për qëndrimet e Partisë Demokratike ndaj protestës së fuqishme rinore e qytetare, Sali Berisha thotë se Partia Demokratike nuk u ka kërkuar asnjëherë anëtarëve dhe mbështetësve të saj që të mos e mbështesin apo të mos shkojnë në protestë, pavarësisht disa thirrjeve kundër vetë asaj.
“Partia Demokratike është forca kryesore politike opozitare që këto vitet e fundit ka qëndruar fuqishëm dhe ka paguar çmimin më të lartë në përballjen me narkoregjimin e Edi Ramës, këtij “Pashiqi” shqipfolës – por edhe me mbështetësit ndërkombëtarë të regjimit të tij”, shkruan Sali Berisha.
Lideri demokrat thekson se forca politike që ai drejton mbështet fuqimisht “largimin e regjimit të paligjshëm e narkodiktatorial të Edi Ramës, kreut të organizatës kriminale më të rrezikshme në Evropë, kundër të cilit ajo organizoi 8 protesta të fuqishme si kryengritje paqësore kombëtare.”

