Një pesticid i ndaluar në Bashkimin Evropian që nga viti 2008, i njohur me emrin tregtar Furadandhe me përbërës aktiv karbofuranin, po dyshohet se po përdoret për helmimin e qenve endacakë në Mitrovicë. Toksikologët paralajmërojnë se kjo substancë konsiderohet ndër helmet më të rrezikshme, pasi nuk rrezikon vetëm kafshët, por edhe njerëzit, sidomos fëmijët që mund të bien në kontakt me ushqimin ose ambientin e kontaminuar.
Dyshimet për përdorimin e karbofuranit janë ngritur pas disa rasteve të helmimit të qenve endacakë në Mitrovicë. Të paktën dy qen kanë ngordhur, ndërsa katër të tjerë janë shpëtuar pas ndërhyrjes së qytetarëve që kujdesen për ta, raporton Kiks Kosova.
Rasti më i fundit dyshohet të ketë ndodhur më 28 maj. Qytetarë që ushqejnë dhe kujdesen për qentë endacakë thanë se dëgjuan klithmat e qenve dhe dolën menjëherë për t’u ofruar ndihmë. Sipas tyre, disa prej kafshëve shfaqnin shenja të rënda helmimi.
Ngjarja kishte ndodhur vetëm pak orë pasi një qytetar ishte sulmuar nga disa qen endacakë pranë Urës së Ibrit. Pamjet e incidentit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta dhe zemërim te qytetarët për problemin e qenve endacakë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë muajit të kaluar në Mitrovicën e Jugut është raportuar një rast i dyshuar i helmimit të qenve endacakë. Sipas policisë, rasti është duke u hetuar në koordinim me prokurorin kompetent për të identifikuar personat përgjegjës.
Përveç rasteve të helmimit, problem serioz vazhdojnë të mbeten edhe sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025 në territorin e Mitrovicës janë raportuar shtatë raste të sulmeve nga qentë endacakë, ndërsa vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2026 janë raportuar edhe dhjetë raste të tjera.
Nga gjithsej 17 rastet e evidentuara në dy vitet e fundit, 15 kanë përfunduar me lëndime trupore. Sipas Policisë, shumica e incidenteve janë regjistruar në zonën urbane të Mitrovicës, ku problemi i qenve endacakë vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve.

