Përgatitjet e Argjentinës për Kupën e Botës 2026 janë shoqëruar me një skandal të pazakontë të sigurisë, pasi të dhënat e pasaportave të të gjithë futbollistëve të ekipit, përfshirë edhe kapitenin Lionel Messi, u publikuan gabimisht para ndeshjes miqësore ndaj Islandës.
Sipas raportimeve, numrat e pasaportave ishin të përfshirë në fletën zyrtare të ekipit, e cila duhej të shpërndahej me të dhënat sensitive të mbuluara. Megjithatë, dokumenti u publikua pa u redaktuar, duke bërë që informacionet personale të lojtarëve të bëhen të qasshme për media dhe publikun në stadiumin Jordan-Hare në Alabama.
Federata e Futbollit e Argjentinës ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me incidentin, i cili ka ngritur shqetësime serioze për mbrojtjen e të dhënave personale vetëm pak ditë para nisjes së Botërorit.
Pavarësisht këtij gabimi, Argjentina fitoi 3:0 ndaj Islandës në ndeshjen përgatitore, me Messin që u rikthye nga lëndimi dhe shënoi një gol pas hyrjes në lojë.

