Pasditen e kësaj të enjte, miliarderi shqiptar Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj reagimeve të bëra së fundmi nga Ministria e Infrastrukturës, lidhur me marrëveshjen e financimit prej 100 milion eurosh të lidhur mes kompanisë së tij MABCO dhe fondit Delphos Securities për projektin e Aeroportit të Vlorës.
Në reagimin e tij të bërë së fundmi në Facebook, Pacolli e cilëson debatin rreth Delfosit një gënjeshtër të madhe që po shkakton dyshime në opinionin publik.
“Narrativa rreth Delfosit është një GWNJESHTËR e turpshme që ka krijuar huti në opinion dhe ka shërbyer si instrument për GJYQTARË të caktuar që lëshuan vendime gjyqësore të kundërligjshme”, shkruan Pacolli.
Reagimi “rrufe” i biznesmenit shqiptar vjen pak orë pasi Ministria e Infrastrukturës i ka dërguar një shkresë zyrtare MABCO-s, përmes të cilave ngre dyshime se kompania mund të ketë paraqitur informacion jo të plotë ose të pasaktë në lidhje me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet me fondin Delfoos.

