Sulmuesi i Kosovës ka pranuar ofertën, gjithçka varet nga zgjedhjet presidenciale
Vedat Muriqi mund të rikthehet në futbollin turk gjatë afatit kalimtar të verës, me Fenerbahçen që po punon për transferimin e sulmuesit të Përfaqësueses së Kosovës.
Sipas gazetarit turk Yagiz Sabuncuoglu, kandidati për president të Fenerbahçes, Aziz Yildirim, ka arritur marrëveshje me Mallorcan dhe me vetë futbollistin për transferimin e tij në Stamboll.
Raportohet se Muriqi ka pranuar një kontratë që do ta mbante te klubi turk deri në verën e vitit 2029. Megjithatë, realizimi i transferimit lidhet drejtpërdrejt me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të Fenerbahçes, të cilat do të mbahen këtë fundjavë. Nëse Yildirim nuk fiton garën, marrëveshja mund të dështojë.
Mallorca fillimisht kishte vendosur çmimin prej 18 milionë eurosh për sulmuesin kosovar, por mediat turke raportojnë se vetë Muriqi i ka kërkuar drejtorit sportiv Pablo Ortells të lehtësojë largimin e tij duke ulur kërkesat financiare të klubit.
Përfaqësues të Aziz Yildirim tashmë kanë udhëtuar në Palma de Mallorca për të finalizuar detajet e marrëveshjes, ndërsa edhe rivali i tij në zgjedhje, Hakan Safi, ka premtuar afrime të mëdha në rast fitoreje.
Një pjesë e të ardhurave nga shitja e mundshme e Muriqit do t’i takojë edhe Lazios, pasi klubi italian gëzon 45 për qind të fitimit nga transferimi i ardhshëm i sulmuesit.
Mallorca e bleu Muriqin për rreth 8 milionë euro, ndërsa tani synon ta shesë për më shumë se dyfishin e kësaj shume. Mbetet të shihet nëse zgjedhjet presidenciale te Fenerbahçe do t’i hapin rrugën rikthimit të “Piratit” në Turqi.

