FIFA ka prezantuar zyrtarisht trofetë individualë që do të ndahen në përfundim të Kupës së Botës 2026, duke zbuluar dizajnin e ri të çmimeve më prestigjioze personale të turneut.

Bëhet fjalë për Topin e Artë, që i jepet lojtarit më të mirë të Botërorit, Këpucën e Artë për golashënuesin më të mirë dhe Dorezën e Artë për portierin më të spikatur të kompeticionit.

Trofetë janë realizuar nga Adidas dhe ruajnë stilin tradicional që i ka karakterizuar ndër vite. Të punuar në ngjyrë ari dhe me linja elegante, ata përfaqësojnë simbolikën e suksesit individual në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Në Botërorin e Katarit më 2022, Topi i Artë u fitua nga Lionel Messi, i cili udhëhoqi Argjentinën drejt titullit kampion. Doreza e Artë iu dha portierit Emiliano Martinez për paraqitjet vendimtare gjatë turneut, ndërsa Këpuca e Artë përfundoi në duart e Kylian Mbappes, që shkëlqeu me golat e tij për Francën.
Historikisht, fituesit e këtyre çmimeve kanë qenë pjesë e skuadrave që kanë arritur fazat e fundit të turneut, duke treguar se suksesi individual shpesh lidhet ngushtë me paraqitjen kolektive të ekipit.
Megjithatë, në Botërorin 2026 pritet që gara për Këpucën e Artë të marrë vëmendje të veçantë. Me formatin e ri prej 48 përfaqësuesesh dhe 104 ndeshjesh, sulmuesit do të kenë më shumë mundësi për të rritur numrin e golave, duke e bërë garën për golashënuesin më të mirë më të fortë se kurrë.
Në qendër të vëmendjes janë emra të mëdhenj si Kylian Mbappe dhe Lionel Messi, të cilët synojnë të afrohen ose ta kalojnë rekordin historik të Miroslav Klose, golashënuesit më të mirë në historinë e Kupës së Botës me 16 gola.
Përveç luftës për trofeun më të rëndësishëm ekipor, Botërori 2026 pritet të sjellë edhe një garë spektakolare për çmimet individuale, të cilat mbeten ndër vlerësimet më prestigjioze që mund të fitojë një futbollist gjatë karrierës së tij.

