Autori i golit të vetëm në fitoren 1:0 të Izraelit ndaj Shqipërisë, Oscar Gloukh, ka shpjeguar arsyen e festimit që shkaktoi tensione në stadiumin “Air Albania”.
Pas golit vendimtar, futbollisti izraelit u drejtua nga tribunat duke bërë shenjën për heshtje, më pas tregoi stemën e Izraelit në fanellë dhe e puthi atë. Veprimi i tij shkaktoi reagimin e menjëhershëm të lojtarëve shqiptarë, me Elseid Hysajn që ishte i pari që kërkoi sqarime nga 22-vjeçari.
Pas ndeshjes, Gloukh deklaroi se reagimi i tij lidhej me fishkëllimat që u dëgjuan gjatë himnit kombëtar të Izraelit para fillimit të sfidës.
“Nuk mund ta injoroja që fishkëllyen gjatë himnit kombëtar. Nuk e prisnim këtë, ishte vetëm një ndeshje miqësore. Isha i entuziazmuar që në fillim dhe, me emocionet dhe golin, ky ishte reagimi im në fund”, tha ai.
Futbollisti izraelit theksoi se nuk pendohet për veprimin e tij.
“Nuk pendohem. Jam shumë i lumtur”, u shpreh Gloukh.
Për atmosferën në stadium foli edhe kapiteni i Izraelit, Manor Solomon, i cili pranoi se skuadra e tij u befasua nga fishkëllimat gjatë himnit.
“Luajtëm në një atmosferë armiqësore. U habitëm nga fishkëllimat gjatë himnit, nuk e prisnim këtë. Ishte e pakëndshme, por si futbollistë duhet të dimë si ta përballojmë”, deklaroi Solomon.
Fishkëllimat gjatë himneve kundërshtare kanë qenë të pranishme në disa ndeshje të Kombëtares së Shqipërisë vitet e fundit, ndërsa në këtë rast duket se ndikuan drejtpërdrejt në reagimin e Gloukh, i cili shënoi golin e fitores në debutimin e trajnerit Rolando Maran në stolin kuqezi.

