FIFA ka miratuar ndryshime historike në Rregulloren e Transferimeve, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027. Vendimi u mor pas dy vitesh negociatash me sindikatën e lojtarëve FIFPro, ligat dhe klubet evropiane, duke sjellë reformën më të madhe në sistemin e transferimeve që nga viti 2001.
Një nga ndryshimet kryesore është se futbollistët do të kenë të drejtë të përfitojnë pesë për qind të tarifës së transferimit të tyre. Praktika që deri më tani zbatohej në Spanjë do të bëhet e detyrueshme në nivel global.
Po ashtu, klauzolat e lirimit do të përfshihen detyrimisht në të gjitha kontratat mes lojtarëve dhe klubeve. Palët do të duhet të bien dakord për shumën e lirimit, duke rritur lirinë e lëvizjes së futbollistëve.
Rregullorja e re sjell ndryshime edhe për lojtarët e rinj. Klubet do të mund të nënshkruajnë kontrata deri në pesë vjet me futbollistët nën moshën 18-vjeçare, krahasuar me kufirin aktual prej tre vjetësh.
FIFA ka njoftuar gjithashtu krijimin e Platformës Globale për Dialog Social, ku do të marrin pjesë FIFA, FIFPro, ligat dhe klubet. Vendimet do të synohen të merren me konsensus mes të gjitha palëve.
Si pjesë e marrëveshjes, FIFPro do të tërheqë të gjitha paditë dhe mosmarrëveshjet e hapura ndaj FIFA-s, ndërsa të dy institucionet do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi që do të formalizojë ndryshimet e reja.

