Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili nis sot në Paphos të Qipros, për shkak të moslejimit të paraqitjes së Kosovës me simbolet e saj shtetërore në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.
Sipas një komunikate zyrtare, lojtari kosovar Azer Bislimaj ishte kualifikuar për herë të dytë radhazi në këtë kampionat prestigjioz evropian, ku do të përfaqësonte Kosovën mes 29 shteteve pjesëmarrëse dhe seniorëve më të mirë të kontinentit.
Federata thekson se regjistrimi zyrtar për kampionatin ishte përfunduar më 23 prill 2026 dhe se të gjitha obligimet financiare, përfshirë udhëtimin dhe akomodimin, ishin kryer me kohë. Ndërkohë, Bislimaj kishte zhvilluar përgatitje intensive për muaj të tërë, duke përfshirë dy kampe stërvitore në Spanjë dhe pesë javë stërvitje në Gjermani nën drejtimin e trajneres gjermane Madeleine Krüger.
Në reagimin e saj, Federata e Golfit e Kosovës vlerësoi angazhimin e Shoqatës Evropiane të Golfit (EGA), duke theksuar se organizata kishte bërë përpjekje serioze për të gjetur një zgjidhje dhe kishte përfshirë emrin e Azer Bislimajt dhe flamurin e Kosovës në sistemet zyrtare të kampionatit dhe tabelat digjitale të rezultateve.
Megjithatë, më 27 maj, Federata u informua se autoritetet shtetërore të Qipros, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nuk do të lejonin shfaqjen e flamurit të Republikës së Kosovës në vendin e garës në të njëjtën mënyrë si flamujt e vendeve të tjera pjesëmarrëse.
Federata kosovare thekson se ky kufizim nuk ishte komunikuar gjatë procesit të regjistrimit apo në javët pasuese, por vetëm pasi të gjitha përgatitjet sportive, organizative dhe financiare ishin përfunduar.
“Sporti duhet të jetë një platformë e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit ndërmjet kombeve. Kosova nuk kërkoi trajtim të veçantë, por vetëm trajtim të barabartë me 28 shtetet e tjera pjesëmarrëse”, thuhet në reagim.
Për këtë arsye, Federata e Golfit e Kosovës ka vendosur të mos autorizojë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, duke theksuar se nuk mund të pranojë pjesëmarrje në kushte të pabarabarta dhe pa të drejtën për të përfaqësuar shtetin me identitetin dhe simbolet e tij zyrtare.
Pavarësisht situatës, Federata ka riafirmuar përkushtimin për zhvillimin e golfit në Kosovë dhe për bashkëpunimin me institucionet evropiane dhe botërore të këtij sporti, duke shprehur shpresën se raste të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.

