Kombëtarja e Iranit vazhdon të jetë një nga ekipet më të komentuara në Kampionatin Botëror 2026, kryesisht për shkak të tensioneve politike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një prej vendeve organizatore të turneut.
Gjatë muajve të fundit kishte spekulime se Irani mund të përjashtohej nga gara, ndërsa madje ishte përmendur edhe Italia si zëvendësuese e mundshme. Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe iranianët mbeten pjesë e Botërorit.
Së fundmi, ambasadori i Iranit në Meksikë, Abolfazl Pasandideh, ka bërë të ditur se Përfaqësuesja e Iranit do të largohet menjëherë nga territori amerikan sapo të përfundojë ndeshjet që do t’i zhvillojë në SHBA.
Sipas tij, ekipi iranian ka vendosur bazën e tij në Tijuana të Meksikës, pasi kërkoi zhvendosjen e kampit nga SHBA. Ky vendim vjen në një periudhë kur vëmendja ndaj përfaqësueses iraniane vazhdon të jetë e lartë, jo vetëm për paraqitjet sportive, por edhe për zhvillimet politike që e rrethojnë pjesëmarrjen e saj në Botëror.

