Legjenda e tenisit botëror, Serena Williams, ka bërë një rikthim të suksesshëm në sportin që e bëri ikonë, duke fituar ndeshjen e parë pas katër vitesh larg fushave.
Tenistja amerikane u prit me entuziazëm nga publiku në Londër, ku po merr pjesë për herë të parë në turneun “Queen’s”, që zhvillohet para Wimbledonit.
Serena u paraqit në garën e dysheve së bashku me kanadezen Victoria Mboko dhe dyshja e tyre triumfoi ndaj australianes Erin Routliffe dhe amerikano-meksikanes Desirae Krawczyk-Melichar Martinez me rezultat 7:6, 6:2.
Edhe në moshën 44-vjeçare, Williams tregoi se klasi i saj mbetet i paprekur, duke dhuruar momente të nivelit të lartë dhe duke udhëhequr skuadrën drejt fitores.
Interesant është fakti se kjo ishte paraqitja e parë e Serena Williams në turneun “Queen’s” gjatë karrierës së saj të jashtëzakonshme.
Amerikania konsiderohet një nga sportistet më të mëdha të të gjitha kohëve. Ajo ka fituar 23 tituj Grand Slam, përfshirë shtatë në Wimbledon, shtatë në Australian Open, gjashtë në US Open dhe tre në Roland Garros.
Me afro 95 milionë dollarë të fituara nga garat, Serena Williams mbetet tenistja më e suksesshme financiarisht në historinë e këtij sporti.

