Botërori 2026 do të mbledhë yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, ndërsa një studim i publikuar nga CIES Football Observatory ka nxjerrë në pah përfaqësueset me vlerën më të lartë të lojtarëve pjesëmarrës në turne.
Në krye të renditjes qëndron Anglia, me një vlerë totale prej 1.454 miliardë eurosh. Përfaqësuesja angleze konsiderohet si skuadra më e vlefshme në Botërorin 2026, ndërsa lojtari i saj më i çmuar është Morgan Rogers, i vlerësuar me 137 milionë euro.
Pas Anglisë renditet Franca me 1.436 miliardë euro. Kampionët e botës të vitit 2018 vazhdojnë të kenë një nga skuadrat më cilësore në futbollin ndërkombëtar, ndërsa lojtari më i vlefshëm i tyre është kapiteni Kylian Mbappe, me një vlerë prej 166 milionë eurosh.
Podiumin e përfaqësueseve më të vlefshme e plotëson Spanja. Kampionët e Evropës vlerësohen me 1.407 miliardë euro, ndërsa ylli i tyre më i madh, Lamine Yamal, është gjithashtu futbollisti më i vlefshëm i turneut me një vlerësim prej 358 milionë eurosh.
Në mesin e përfaqësueseve më të shtrenjta të Botërorit 2026 renditen edhe Gjermania, Portugalia dhe Holanda, të cilat pritet të jenë ndër pretendentet kryesore për trofeun.
Në anën tjetër të renditjes qëndron Irani, që është përfaqësuesja me vlerën më të ulët në këtë Botëror, me vetëm 12 milionë euro. Pas iranianëve renditen Iraku dhe Jordania, që gjithashtu kanë vlerësime dukshëm më të ulëta krahasuar me gjigantët e futbollit botëror.

