FIFA ka prezantuar zyrtarisht topin që do të përdoret në Kupën e Botës 2026, turne që do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.
Topi i ri mban emrin “TRIONDA”, i cili simbolizon bashkimin e tre vendeve organizatore dhe përfaqëson idenë e tre valëve që bashkohen në ngjarjen më të madhe të futbollit botëror.

Sipas FIFA-s dhe kompanisë Adidas, dizajni i topit është frymëzuar nga identiteti kulturor dhe sportiv i tri vendeve nikoqire. Në të dominojnë ngjyrat e kuqe, blu dhe jeshile, ndërsa janë përfshirë edhe elemente simbolike si gjethja e panjës për Kanadanë, shqiponja për Meksikën dhe ylli për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, risia më e madhe e TRIONDA-s lidhet me teknologjinë. Topi është i pajisur me një sensor të brendshëm 500Hz që transmeton të dhëna në kohë reale drejt sistemit VAR, duke ndihmuar gjyqtarët në marrjen e vendimeve më të sakta gjatë ndeshjeve.
Teknologjia e re pritet të ketë ndikim të veçantë në identifikimin e pozicionit jashtë loje, si dhe në rastet kur nevojitet konfirmimi i prekjes së topit nga futbollistët.
Në aspektin e ndërtimit, topi përbëhet nga vetëm katër panele të bashkuara me nxehtësi, një zgjidhje që synon të rrisë stabilitetin në fluturim dhe saktësinë e lëvizjes së tij në fushë.
Sipas FIFA-s, TRIONDA është një nga topat më të avancuar të krijuar ndonjëherë për një Kupë Bote, duke kombinuar teknologjinë moderne me simbolikën e një Botërori historik që për herë të parë organizohet nga tri shtete.

