Norvegjia është rikthyer në finalet e Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 1998 dhe duket se nuk ka lënë asgjë rastësisë në përgatitjet për turneun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfaqësuesja skandinave ka transportuar në kampin e saj stërvitor në Greensboro të Karolinës së Veriut plot 300 kilogramë peshk, 116 kilogramë djathë tradicional norvegjez dhe më shumë se 6 mijë portokalle.
Pas gjithë kësaj logjistike qëndron shefi i ekipit, Aron Espeland, i cili ka mbi 35 vjet në këtë rol. Ai ka hartuar menutë e skuadrës së bashku me tre prej kuzhinierëve më të njohur të Norvegjisë, me synimin që futbollistët të ndihen sa më afër shtëpisë gjatë qëndrimit në SHBA.
“Lojtarët patjetër do t’i hanë të 300 kilogramët e peshkut”, ka thënë me bindje Espeland.
Klima e Karolinës së Veriut ndryshon ndjeshëm nga ajo e Norvegjisë, por drejtuesit e ekipit besojnë se ushqimi tradicional do t’i ndihmojë futbollistët të ruajnë rutinën e tyre gjatë Botërorit.
Norvegjia bën pjesë në një grup të fortë, ku do të përballet me Francën, Senegalin dhe Irakun.

