FIFA ka anuluar rreth 60 bileta të Kupës së Botës 2026 që ishin lëshuar gabimisht pa pagesë për shkak të një problemi teknik në sistemin e shitjes online.
Sipas FIFA-s, gabimi ndodhi gjatë procesit të pagesës, duke bërë që disa tifozë të përfitonin bileta falas pa përfunduar transaksionin.
“FIFA shpreh keqardhje për gabimin dhe çdo shqetësim të shkaktuar. Biletat e kërkuara nga këta tifozë mbeten të rezervuara dhe tifozët e prekur janë ftuar të kryejnë pagesën e shumës së saktë”, thuhet në reagimin e organizatës.
Ky është vetëm një nga problemet që kanë shoqëruar procesin e shitjes së biletave për Botërorin 2026, i cili ka qenë objekt kritikash dhe polemikash të shumta.
Ndërkohë, autoritetet amerikane po hetojnë nëse ka pasur shkelje të mundshme të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorëve lidhur me sistemin e shitjes së biletave.
Biletat me çmim të gabuar u shpërndanë më 21 maj, disa muaj pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se të gjitha biletat për 104 ndeshjet e Kupës së Botës ishin shitur.
Megjithatë, FIFA vazhdon ende shitjen e biletave për turneun që nis javën e ardhshme.

