Përfaqësuesja e Kosovës do të paraqitet me disa mungesa në ndeshjen miqësore ndaj Andorrës, e cila zhvillohet nesër nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në konferencën për media para ndeshjes, përzgjedhësi Franco Foda bëri të ditur se katër futbollistë nuk do të jenë në dispozicion për këtë përballje.
Sipas tij, portieri Arijanet Muriq ka ndier shqetësime muskulore dhe është liruar nga grumbullimi. Gjithashtu, Amir Shaipi nuk i është bashkuar ekipit, ndërsa për këtë ndeshje është ftuar portieri i Kosovës U21, Altin Gjokaj. Në portë nga minuta e parë pritet të startojë Visar Bekaj.
Ndërkohë, sulmuesi Rilind Nivokazi është larguar nga grumbullimi për arsye personale, derisa Bersant Celina nuk do t’i bashkohet skuadrës.
Pavarësisht mungesave, Foda theksoi se atmosfera në ekip mbetet shumë e mirë dhe se objektivi kryesor është fitorja ndaj Andorrës.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Tani duhet t’i bashkojmë forcat dhe të paraqitemi mirë kundër kundërshtarit. Qëllimi ynë kryesor është ta fitojmë këtë ndeshje. Do të luajmë me lojtarët më të mirë dhe do të bëjmë përzgjedhjen më të mirë të mundshme. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë”, deklaroi Foda.
Kosova vjen në këtë takim pas humbjes 2:1 ndaj Çekisë në miqësoren e zhvilluar disa ditë më parë në Pragë.

