Llapi është shumë pranë sigurimit të qëndrimit në Superligën e Kosovës. Në ndeshjen e barazhit që po zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, skuadra nga Podujeva po udhëheq me rezultat 2:0 ndaj Dinamos së Ferizajt.
Kjo përballje vendos ekipin e fundit që do të garojë në elitën e futbollit kosovar në edicionin e ardhshëm. Llapi e mbylli sezonin në vendin e tetë të Superligës me 49 pikë, duke u detyruar të luajë në barazh për mbijetesë.
Në anën tjetër, Dinamo e Ferizajt synonte një moment historik dhe paraqitjen e parë në Superligë. Skuadra ferizajase kishte siguruar finalen e barazhit pasi mposhti Lirinë me rezultat 2:0.
Megjithatë, për momentin është Llapi ai që ka kontrollin e ndeshjes dhe po i afrohet ruajtjes së statusit në elitën e futbollit kosovar. Nëse rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund, llapjanët do të vazhdojnë të jenë pjesë e Superligës edhe sezonin e ardhshëm.

