Momente shqetësuese kanë përjetuar futbollistët e Përfaqësueses së Zvicrës në prag të Kupës së Botës 2026, pasi një zjarr pyjor shpërtheu pranë kampit stërvitor të ekipit në Kaliforni.
Flakët, që u përhapën me shpejtësi gjatë së hënës, përfshinë rreth 18 hektarë sipërfaqe. Sipas autoriteteve lokale, ndërhyrja u vështirësua nga terreni i pjerrët, linjat elektrike dhe përmasat e zjarrit.
Për të frenuar përhapjen e flakëve, në operacion u angazhuan edhe helikopterë, të cilët hodhën sasi të mëdha uji nga ajri. Autoritetet urdhëruan gjithashtu evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara.
Hoteli Fairmont Grand Del Mar, ku është akomoduar Përfaqësuesja e Zvicrës gjatë qëndrimit në Kaliforni, u gjend brenda zonës së alarmit të shpallur nga policia. Megjithatë, situata u përmirësua gjatë mbrëmjes dhe rreziku u reduktua ndjeshëm.
Zjarrfikësit konfirmuan se zjarri është vënë nën kontroll në pjesën më të madhe të vatrave, ndërsa policia ka zvogëluar zonën e alarmit për lagjet e banuara.
Aktualisht nuk raportohet për ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për ekipin zviceran, i cili vazhdon normalisht përgatitjet për ndeshjet e Botërorit 2026.

