Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk e ka fshehur zhgënjimin pas barazimit 1:1 në ndeshjen miqësore ndaj Australisë, duke dërguar një mesazh të fortë për bashkëlojtarët dhe ambientin rreth ekipit.
Mesfushori shqiptar tha se gjatë javës kishte pasur probleme që sipas tij ndikuan drejtpërdrejt në paraqitjen e skuadrës në fushë.
“Kishte gjëra që nuk ishin mirë këtë javë dhe kjo ka ndikuar në lojë. Por kam mësuar që nuk mund t’i them të gjitha. Ishte miqësore, por të luash kështu e bën të vështirë. Nuk mund të paraqitesh kështu, përndryshe kthehesh në shtëpi pas tri ndeshjesh. Duhet të zgjohemi”, deklaroi Xhaka.
Kapiteni zviceran theksoi se ky rezultat duhet të shërbejë si alarm për të gjithë ekipin para sfidave të ardhshme.
“Nëse punon fort, kjo shfaqet në fushë. Ky nuk ishte rast këtë javë. Si kapiten unë duhet të jem me besim. Kemi një javë për të punuar me veten tonë dhe më pas do të jemi gati. Për këtë na duhet përkushtim maksimal”, shtoi ai.
Deklaratat e Xhakës pritet të kenë jehonë të madhe në mediat zvicerane, ndërsa trajneri Murat Yakin ka bërë të ditur se do të bisedojë privatisht me kapitenin për komentet e tij pas ndeshjes.

