FIFA ka prezantuar një ndryshim të veçantë për Kupën e Botës 2026, duke vendosur që për herë të parë të gjithë 26 futbollistët e secilës përfaqësuese të jenë në fushë gjatë intonimit të himneve shtetërore.
Sipas njoftimit të FIFA-s, jo vetëm formacioni titullar, por edhe lojtarët rezervë do të marrin pjesë në ceremoninë para ndeshjes.
“Të gjithë lojtarët që janë të pranishëm në ditën e ndeshjeve do të dalin në pah. Gjatë himneve shtetërore, të gjithë 26 lojtarët e secilës përfaqësuese do të mblidhen në rreth dhe secili prej tyre do ta përjetojë këtë moment simbolik me krenari dhe emocion si përfaqësues i shtetit të tij në skenën globale”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.
Ceremonia hyrëse do të jetë më spektakolare se në edicionet e kaluara. Futbollistët do të shoqërohen nga fëmijë dhe adoleshentë gjatë hyrjes në fushë, ndërsa stadiumet do të zbukurohen me flamuj gjigantë, banderola dhe elemente të tjera vizuale.
Po ashtu, FIFA ka paralajmëruar përdorimin e efekteve speciale, përfshirë mjete tymosëse me ngjyra dhe elemente piroteknike, për ta bërë atmosferën edhe më festive në turneun më të madh të futbollit botëror.

