FIFA ka anuluar ndarjen e biletave për tifozët e Iranit për tri ndeshjet e fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026, që zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit e Iranit, e cila ka njoftuar se nuk ka mundur të sigurojë asnjë biletë për mbështetësit e saj, vetëm pak ditë para ndeshjes së parë ndaj Zelandës së Re më 15 qershor në Los Angeles.
Sipas rregullave të FIFA-s, secila nga 48 përfaqësueset pjesëmarrëse ka të drejtë të marrë dhe të shpërndajë 8 për qind të kapacitetit të stadiumit për tifozët e saj.
Ky zhvillim shton tensionet mes Federatës iraniane, FIFA-s dhe autoriteteve amerikane. Përfaqësuesja e Iranit është vendosur në Tijuana të Meksikës, pranë kufirit me SHBA-në, në vend të Arizonës, ku fillimisht ishte planifikuar kampi stërvitor.
Po ashtu, disa drejtues të Federatës së Futbollit të Iranit ende nuk kanë marrë leje për të hyrë në territorin amerikan.

