Interesi i jashtëzakonshëm për finalet e NBA-së ka bërë që çmimet e biletave në Madison Square Garden të arrijnë nivele rekord.
Sipas raportimeve, bileta më e lirë për ndeshjen e tretë kushton rreth 11 mijë dollarë, ndërsa për ndeshjen e katërt çmimi minimal kalon 13 mijë dollarë.
Entuziazmi i tifozëve është rritur edhe më shumë pas paraqitjeve mbresëlënëse të New York Knicks, që kanë fituar dy ndeshjet e para në transfertë. Nëse skuadra fiton edhe dy sfidat e radhës, atëherë ndeshja e katërt mund të shndërrohet në një moment historik, me Knicks që do të festonin titullin e parë kampion pas 53 vjetësh.
Rikthimi i ekipit në finale pas 27 vjetësh ka krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme në New York, me tifozët që po bëjnë gjithçka për të siguruar një vend në tribunat e arenës legjendare.
Mes mbështetësve të njohur të Knicks janë edhe aktorët e famshëm Spike Lee dhe Ben Stiller, të cilët kanë udhëtuar për të ndjekur nga afër skuadrën e tyre të zemrës në këtë rrugëtim drejt titullit.

