Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Tihuana të Meksikës gjatë ditëve të para të Kupës së Botës 2026, pasi një trup i pajetë është gjetur pranë stadiumit “Caliente”, ku stërvitet përfaqësuesja e Iranit.
Sipas autoriteteve lokale, viktima ende nuk është identifikuar. Trupi u zbulua nga një patrullë policore brenda bagazhit të një automjeti tip Toyota SUV me targa të Kalifornisë.
Prokuroria rajonale e Tihuanës ka nisur hetimet, ndërsa ekspertët e kriminalistikës kryen ekzaminimet e para në vendin e ngjarjes përpara se kufoma të largohej për procedura të mëtejshme mjeko-ligjore.
Një zëdhënës i prokurorisë deklaroi se ekzistojnë dyshime që trupi të jetë braktisur që të mërkurën e kaluar, megjithëse rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Ngjarja nuk ka lidhje me Kupën e Botës apo me ekipin iranian, por ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të afërsisë me stadiumin “Caliente”, që shërben si bazë stërvitore e Iranit gjatë turneut.
Pavarësisht se Irani i zhvillon të tri ndeshjet e fazës së grupeve në Shtetet e Bashkuara, federata iraniane ka zgjedhur të vendoset në Tihuana, qytet që ndodhet vetëm pak kilometra nga kufiri me SHBA-në.
Tihuana njihet prej vitesh si një nga zonat me kriminalitetin më të lartë në Meksikë, kryesisht për shkak të aktiviteteve të lidhura me trafikun e drogës. Sipas të dhënave lokale, vetëm gjatë vitit të kaluar në qytet janë regjistruar mbi 1,200 vrasje.

