Përfaqësuesja e Anglisë është përballur me një incident të pazakontë gjatë Kupës së Botës 2026, pasi është bërë viktimë e një vjedhjeje teksa udhëtonte nga Florida drejt Kansas Sitit.
Sipas raportimeve të mediave britanike, hajdutët kanë arritur të marrin një pjesë të konsiderueshme të bazës materiale të “Tre Luanëve”, duke shkaktuar kaos para një seance stërvitore të ekipit.
Mes pajisjeve të vjedhura ndodheshin edhe këpucët e kapitenit Harry Kane dhe të yllit të Real Madridit, Jude Bellingham. Situata u bë edhe më absurde pasi ekipit anglez thuhet se i mbeti vetëm një top për stërvitje.
Stafi i kombëtares angleze u detyrua të vepronte me shpejtësi për të siguruar pajisjet e nevojshme dhe për të mos penguar përgatitjet e skuadrës.
Mediat në Angli e kanë cilësuar incidentin si një dështim serioz të masave të sigurisë rreth ekipit kombëtar, ndërsa autoritetet lokale kanë konfirmuar ngjarjen.
Policia në Kansas City ka bërë të ditur se ka marrë në pyetje dy persona lidhur me rastin dhe se hetimet janë në vazhdim.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi ekzistonin shqetësime për sigurinë në qytet pas një shpërthimi dhune që kishte tronditur zonën, por askush nuk priste që kombëtarja angleze të goditej në këtë mënyrë.
Pavarësisht incidentit, Anglia vazhdon përgatitjet për ndeshjen e parë në Grupin L, ku të martën do të përballet me Kroacinë në Arlington. Ndërkohë, trajneri Thomas Tuchel mbetet i shqetësuar edhe për gjendjen fizike të disa lojtarëve kyç, përfshirë Bukayo Saka.

