FIFA ka reaguar ndaj kritikave të shumta për tribunat që dukeshin me shumë vende të lira gjatë ndeshjes së Kupës së Botës 2026 mes Koresë së Jugut dhe Çekisë, duke insistuar se stadiumi ishte pothuajse i mbushur.
Pamjet televizive nga stadiumi në Zapopan të Meksikës nxiten debat në rrjetet sociale dhe media, pasi në disa sektorë u vunë re qartë ulëse bosh, duke ngritur dyshime mbi interesimin e tifozëve për ndeshjen.
Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare të FIFA-s, në stadium ishin të pranishëm 44,985 tifozë nga kapaciteti total prej 45,664 ulësesh, që përfaqëson rreth 98.5 për qind të kapacitetit të arenës.
Për të sqaruar dallimin mes asaj që u pa në transmetim dhe shifrave zyrtare, FIFA publikoi një deklaratë ku theksoi se pjesëmarrja llogaritet në bazë të biletave të skanuara dhe personave që ndodhen brenda perimetrit të stadiumit.
“Shifrat zyrtare të pjesëmarrjes pasqyrojnë numrin e biletave të skanuara dhe të spektatorëve që ndodhen brenda perimetrit të stadiumit, jo vlerësimet vizuale të vendeve të zëna në një moment të caktuar gjatë ndeshjes”, thuhet në reagimin e FIFA-s.
Sipas organizatës, një numër i konsiderueshëm tifozësh kanë zgjedhur ta ndjekin takimin nga korridoret, zonat e ushqimit dhe hapësirat e tjera të brendshme të stadiumit, çka krijoi përshtypjen e tribunave të paplotësuara gjatë transmetimit.
Debati vjen në ditët e para të Botërorit 2026, ku FIFA është përballur me kritika të vazhdueshme për çmimet e biletave dhe pamjet e vendeve bosh në disa ndeshje të turneut.

