Përfaqësuesja e Turqisë është përfshirë në një polemikë vetëm pak ditë para ndeshjes së parë në Kupën e Botës 2026.
Disa futbollistë turq janë filmuar në ballkonin e hotelit të ekipit duke pirë duhan, pamje që kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave sportive.
Në videon e publikuar shihet qartë mbrojtësi i Fenerbahçes, Çağlar Söyüncü, së bashku me dy lojtarë të tjerë të kombëtares turke.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv, veçanërisht pasi vjen në prag të debutimit të Turqisë në Botërorin 2026, ku do të përballet me Australinë në ndeshjen e parë.
Turqia siguroi pjesëmarrjen në turne pas fitoreve ndaj Rumanisë dhe Kosovës në fazën e plejofit, ndërsa bën pjesë në Grupin D së bashku me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë.
Deri më tani, Federata Turke e Futbollit dhe stafi i përfaqësueses nuk kanë dhënë asnjë koment zyrtar lidhur me pamjet që janë publikuar.
Mbetet të shihet nëse rasti do të ketë pasoja disiplinore për lojtarët e përfshirë, apo nëse gjithçka do të konsiderohet si një incident jashtë fushës që nuk do të ndikojë në kampin turk para nisjes së Botërorit.

