Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se përfaqësuesja e Iranit do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, duke shuar çdo dyshim rreth pranisë së saj në turneun më të madh të futbollit.
Në një deklaratë për mediat, Infantino theksoi se pjesëmarrja e Iranit është e padiskutueshme, duke vlerësuar rëndësinë e përfaqësimit sportiv në arenën ndërkombëtare. Ai u shpreh se skuadra iraniane ka fituar të drejtën në fushë dhe meriton të jetë pjesë e këtij kompeticioni.
“Ekipi përfaqësues i Iranit do të paraqitet pa dyshim. Ata kanë kaluar kualifikimet dhe duan të luajnë”, deklaroi Infantino, duke nënvizuar se sporti duhet të qëndrojë mbi tensionet politike.
Nga ana tjetër, optimizëm ka edhe brenda kampit iranian. Përzgjedhësi i kombëtares, Amir Ghalenoei, është shprehur i bindur se skuadra do të jetë pjesë e Botërorit.
“Nuk ka arsye të mos paraqitemi. Me besim dhe përkushtim, ne do të luajmë”, ka deklaruar ai.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ministri i Sportit i Iranit, Ahmed Donjamali, i cili ka theksuar se përfaqësuesja do të marrë pjesë normalisht në turne.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një edicion historik me organizim të përbashkët nga tre shtete.

