Komiteti Teknik i Gjyqtarëve në Spanjë (Comité Técnico de Árbitros) ka pranuar zyrtarisht se është gabuar në vendimmarrjen gjatë ndeshjes mes RCD Mallorca dhe Real Sociedad, sa i përket një ndërhyrjeje ndaj sulmuesit kosovar Vedat Muriqi.
Incidenti ndodhi në minutën e 12-të, me rezultatin ende 0-0, kur mbrojtësi Igor Zubeldia e mbajti Muriqin me të dy krahët brenda zonës së rreptësisë, në momentin kur sulmuesi ishte në pozicion të favorshëm për të goditur drejt portës.
Sipas vlerësimit të mëvonshëm të CTA-së, rasti duhej të ishte ndëshkuar me penallti dhe karton të kuq direkt për mbrojtësin.
Megjithatë, as gjyqtari kryesor Miguel Sesma Espinosa dhe as zyrtari i VAR-it Figueroa Vázquez nuk ndërhynë për ta korrigjuar vendimin, duke lejuar vazhdimin e lojës.
Pranimi i gabimit nga organi kompetent nënvizon se episodi kishte potencial të ndikonte drejtpërdrejt në rrjedhën e takimit, duke lënë Mallorcën të dëmtuar nga një vendim i diskutueshëm në një moment kyç të sfidës.

