Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nisur në mënyrë perfekte aventurën në Kupën e Botës FIFA 2026, duke mposhtur Paraguain me rezultat bindës 4-1 në Los Angeles.
Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e 7-të pas autogolit të Bubadillas, ndërsa dominimi i tyre vazhdoi gjatë gjithë pjesës së parë. Folarin Balogun fillimisht pa t’i anulohej një gol në minutën e 28-të, por vetëm tri minuta më vonë gjeti rrjetën pas asistimit të Christian Pulisicit për 2-0.
Sulmuesi amerikan nuk u ndal me kaq dhe në minutat shtesë të pjesës së parë realizoi edhe golin e dytë personal, duke e dërguar SHBA-në në pushim me avantazh të sigurt 3-0.
Paraguai arriti të ngushtojë rezultatin në minutën e 73-të përmes Mauricios, por çdo shpresë për rikthim u shua në minutën e 98-të, kur Reina vulosi fitoren e amerikanëve me golin përfundimtar.
Kjo është hera e parë në histori që SHBA-ja shënon katër gola në një ndeshje të Kupës së Botës, duke regjistruar njëkohësisht fitoren më të thellë në këtë kompeticion. Amerikanët tejkaluan kështu suksesin 3-0 ndaj Paraguait në Botërorin e vitit 1930.
Me këtë triumf, SHBA-ja vazhdon formën e mirë në fazën e grupeve, ku ka pësuar vetëm një humbje në 10 ndeshjet e fundit, ndërsa rikthimi i Paraguait në Botëror pas 16 vitesh nisi në mënyrën më të hidhur të mundshme.

