Mereme Sela është zyrtarisht e skualifikuar nga gara për kreun e Partisë Demokratike, pasi veç komisionit të ngritur në PD, edhe Gjykata e Tiranës i ka mbyllur derën për ankimimin e saj, duke zbuluar në fakt parregullësi të madha edhe në padi.
Sipas vendimit të marrë më datë 8 maj, nga gjyqtarja Suela Xhani, Mereme Sela nuk ka përcaktuar qartë në kërkesë emrin, atësinë, mbiemrin dhe të dhëna të tjera që shërbejnë për identifikimin e palës paditëse.
Gjithashtu, padisë nuk i është bashkëlidhur një mjet identifikimi i vlefshëm, në formën e kërkuar nga ligji.
Por nuk është vetëm kaq. Gjykata thotë se, rezulton që pala e paditur është person juridik dhe, rrjedhimisht duhet përcaktuar qartë emërtimi i tij, ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi.
Së treti, Gjykata e Tiranës ka konstatuar se paditësja nuk ka paguar tarifë gjyqësore dhe në kërkesë-padi nuk janë parashtruar qartë rrethanat e faktit dhe faktet që kërkohen të provohen në këtë gjykim.

