Aktualitet Kronike Shqipëria

Kredia 100 milionë euro për “Portën e Alpeve”, Beci: Shkodra hyn në fazë të re zhvillimi

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me projektin “Porta e Alpeve”, kredia për të cilin pritet të miratohet sot në Parlament. Beci e ka quajtur projektin një nga programet më të rëndësishme strategjike për transformimin e Shkodrës dhe veriut të Shqipërisë. Sipas tij, investimi prej 100 milionë eurosh synon ta kthejë Shkodrën në një rajon me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, turizëm gjatë gjithë vitit dhe standarde urbane evropiane.

Reagimi i kryebashikakut Beci:

Sot në Parlament do të miratohet kredia për projektin “Porta e Alpeve”, një nga programet më të rëndësishme strategjike për transformimin e Shkodrës dhe veriut të Shqipërisë, me financim nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Qeveria Shqiptare. Ky program prej 100 milion eurosh përfaqëson një hap të madh përpara në vizionin tonë për ta kthyer Shkodrën në një rajon me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, turizëm në të gjitha stinët e vitit dhe standarde urbane evropiane. Pas një periudhe të gjatë përgatitore, nisur që në dhjetor 2023, dhe me një punë shumë profesionale, Bashkia e Shkodrës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, ka arritur të ndërtojë një paketë projektesh transformuese që do ta ndryshojnë mënyrën si lëvizim, jetojmë dhe zhvillojmë ekonominë dhe turizmin në rajonin tonë.

Ndër projektet kryesore që do të financohen janë:

Transformimi i bulevardit kryesor të Shkodrës (Sheshi Demokracia-Rrethrrotullimi I bypass) në një korridor të gjelbër dhe multimodal, me më shumë hapësira për këmbësorët, biçikletat, transportin publik dhe gjelbërimin urban, duke lidhur qendrën historike të qytetit me parkun e ri në hyrje, liqenin dhe zonat rekreative.

Përfundimi i korridorit rrugor Shkodër–Velipojë, me standarde moderne dhe anashkalim të qendrave të banuara, duke krijuar një lidhje më të shpejtë dhe më të sigurt me bregdetin dhe duke forcuar lidhjet rajonale drejt Shëngjinit, në perspektivë me Ulqinin.

Modernizimi i transportit urban me 17 autobusë elektrikë, zgjerim të linjave në qytet dhe lidhje të dedikuara me Shirokën, Zogajn dhe Kalanë e Rozafës, si një alternativë moderne dhe e qëndrueshme ndaj përdorimit të automjeteve private.

Krijimi i një rruge unike biçikletash prej mbi 80 kilometrash, që lidh liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe Velipojën me qytetin dhe me itinerare të tjera drejt Alpeve dhe Nënshkodrës, duke krijuar një produkt të ri turistik dhe rekreativ për të gjithë rajonin.

Zhvillimi i Sistemit të Muzeve të Shkodrës, ku muzeumet, itineraret urbane dhe hapësirat publike lidhen në një rrjet të integruar kulturor dhe turistik, duke e kthyer qytetin në një “muze të hapur” dhe duke forcuar identitetin kulturor të Shkodrës. Do të kemi muzeun e qytetit, muzeun dhe galerinë e arteve dhe një muze historik te Shtëpia e Oso Kukës të rinovuar, duke vënë siç duhet në pah trashëgiminë tonë të pasur turistike.

Investime të tjera në parkime publike për të përmirësuar organizimin urban, aksesin dhe menaxhimin e trafikut në qytet dhe zonat turistike.

Këto projekte përfaqësojnë brezin e ri të investimeve strategjike për Shkodrën. Së bashku me investimet madhore që po realizohen aktualisht, ato do të kontribuojnë në transformimin e qytetit tonë në një qendër moderne evropiane.

Shkodra ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.

Dua të falënderoj Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe vëmendjen ndaj Shkodrës, si edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, që kanë bashkëpunuar përgjatë gjithë kësaj periudhe për ta çuar përpara këtë vizion zhvillimi.

You may also like

Shqipëria Sport

Vetëm 11 minuta në 14 ndeshje te Lazio, Elseid Hysaj merr vendimin për të ardhmen

Situata e Elseid Hysajt te Lazio duket se ka arritur në një pikë pa kthim, me mbrojtësin shqiptar që po
Shqipëria Sport

Zyrtare: Antonio Delaj huazohet te Skënderbeu deri në fund të sezonit

Antonio Delaj është zyrtarisht lojtar i KF Skënderbeu. Sulmuesi 22-vjeçar do të veshë fanellën bardhekuqe në formë huazimi deri në