Shkuarja e mundshme në zgjedhje të reja në Kosovë shihet nga ekspertët si një barrë e rëndë financiare dhe institucionale për vendin. Ndërsa mund të përfitoheshin rreth 100 milionë euro nga projekte që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, politika po e çon vendin drejt një procesi zgjedhor që rrit presionin mbi buxhetin dhe pengon progresin ekonomik.
Të premten ishte thirrur një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat mund të përmirësonin ndjeshëm jetën e qytetarëve, por vendimi për zgjedhje të reja duket se po bën që këto mundësi të ngecin në letër.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar si detyrim kushtetues. Sipas saj, vendimi erdhi pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit, ndërsa moszgjedhja e shefit të shtetit deri më 5 mars e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
