Partia Socialiste ka propozuar ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, duke parashikuar masa më të ashpra ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Amendamentet janë propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe deputeti Erion Braçe.
Sipas draftit të depozituar në Kuvend, drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi nuk do të kenë të drejtë të pajisen me patentë për një periudhë prej një viti.
Ndërsa për të miturit, afati për marrjen e patentës do të shtyhet me dy vite nga momenti kur u lind e drejta ligjore për ta përfituar atë.
Sipas propozimit të bërë, shoferët që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, do t’u hiqet patenta përgjithmonë.

