Një moment i veçantë dhe plot emocione është regjistruar në “Cidade do Futebol”, ku influencuesja e njohur belge e futbollit, Céline Dept, ka realizuar një nga ëndrrat më të mëdha të jetës së saj duke takuar idhullin, Cristiano Ronaldon.

Pas takimit, Céline Dept ndau emocionet e saj me ndjekësit në rrjetet sociale, duke treguar se ende e ka të vështirë ta besojë se ëndrra e saj është bërë realitet.
“Nuk mund ta besoj se kjo është reale. Kisha mundësinë të takoja idhullin tim të madh, Cristiano Ronaldon. Personi që jo vetëm më frymëzoi të filloja futbollin, por edhe më mësoi të punoj fort, të besoj në veten time dhe të mos dorëzohem kurrë”, shkroi ajo.
Influencuesja shtoi se Ronaldo vazhdon të jetë frymëzim për miliona njerëz në mbarë botën dhe se ky do të mbetet një nga momentet më të paharrueshme të jetës së saj.
Takimi i tyre dëshmoi edhe një herë ndikimin e jashtëzakonshëm që Cristiano Ronaldo vazhdon të ketë te tifozët dhe brezat e rinj, brenda dhe jashtë fushës së lojës.

