Kylian Mbappe ka dërguar një mesazh të qartë para nisjes së Kupës së Botës 2026, duke pranuar se duhet të përmirësojë lojën e tij në fazën mbrojtëse për ta udhëhequr Francën drejt titullit.
Kapiteni i “Les Bleus” deklaroi se është i gatshëm të sakrifikojë më shumë për ekipin dhe ta ndryshojë qasjen e tij në fushë.

“Më duhet të bëj një hap tjetër përpara në aspektin mbrojtës. Jam gati të bëj gjërat siç duhet sepse dua ta fitoj Kupën e Botës me çdo kusht”, tha Mbappe për “Le Parisien”.
Sulmuesi i Real Madridit ka qenë shpesh objekt kritikash për kontributin e kufizuar në mbrojtje, por tashmë ka pranuar se kjo është një pjesë e lojës ku duhet të përmirësohet.
Pavarësisht kritikave, Mbappe mbetet lideri i padiskutueshëm i Francës dhe një nga favoritët për të shkëlqyer në Botërorin 2026. Arsene Wenger doli në mbrojtje të tij, duke theksuar se francezi është kritikuar padrejtësisht dhe se mund të zhvillojë një turne të jashtëzakonshëm.
Mbappe tashmë ka fituar Kupën e Botës në vitin 2018 dhe numëron 12 gola në dy Botërorë. Ai është vetëm katër gola larg rekordit historik të Miroslav Kloses, golashënuesit më të mirë në historinë e turneut me 16 realizime.
Franca synon finalen e tretë radhazi në Kupën e Botës, ndërsa Mbappe kërkon të shkruajë një tjetër kapitull të artë në karrierën e tij.

