Zvicra ka lëshuar nga duart një fitore të rëndësishme në ndeshjen hapëse të Grupit B në Kupën e Botës 2026, pasi u ndal në barazim 1-1 nga Katari në “Levi’s Stadium” në Santa Clara të Kalifornisë.
Helvetët kaluan në epërsi në minutën e 17-të. Pas një ndërhyrjeje të gabuar të portierit Mahmud Abunada ndaj Michel Aebischer, arbitri akordoi penallti pas rishikimit në VAR. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Breel Embolo, i cili dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Zvicra pati mundësi ta dyfishonte avantazhin vetëm katër minuta më vonë, por goditja e Denis Zakarias u ndal nga Abunada. Në anën tjetër, Katari iu afrua barazimit para pushimit, por Gregor Kobel realizoi një pritje vendimtare ndaj Edmilson Junior.
Edhe në pjesën e dytë zviceranët krijuan raste për ta mbyllur ndeshjen, me Dan Ndoye që testoi sërish portierin kundërshtar në minutat shtesë.
Megjithatë, Katari nuk u dorëzua dhe në momentet e fundit arriti të gjejë golin e barazimit, duke i rrëmbyer një pikë të vlefshme Zvicrës dhe duke lënë helvetët me shumë pendesë për rastet e humbura.
Në xhiron e dytë të Grupit B, Zvicra do të përballet me Bosnje-Hercegovinën më 18 qershor, ndërsa Katari do të luajë ndaj Kanadasë më 19 qershor.

