Sport

Zyrtare: Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën Dimërore Milano Cortina 2026

Kosova do të përfaqësohet nga dy skitarë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026. Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj janë emrat që do të mbajnë flamurin e Kosovës në ngjarjen më të madhe të sporteve dimërore, e cila do të zhvillohet nga 6 deri më 22 shkurt 2026.

Kiana Kryeziu ka përmbushur me sukses kriteret bazë të kualifikimit në tri disiplina të skijimit alpin: sllallom, sllallom të madh dhe super sllallom të madh. Ajo do të garojë në këto disiplina në Milano Cortina, duke qenë një nga sportistet më të kompletuara të delegacionit kosovar.

Nga ana tjetër, Drin Kokaj ka siguruar kualifikimin në disiplinën e sllallomit, duke fituar të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në garat olimpike. Për Kokajn, kjo do të jetë paraqitja e parë në një Olimpiadë Dimërore, një moment i rëndësishëm në karrierën e tij sportive.

Në procesin e kualifikimit ishin gjithashtu në garë Lirika Deva, e cila përmbushi kriteret në sllallom dhe sllallom të madh, si dhe Vokshi në sllallom të madh. Sipas rregullave olimpike, Kosova mund të përfaqësohet me vetëm një garues për secilën gjini. Në këtë rast, Kryeziu u përzgjodh për shkak të kualifikimit në më shumë disiplina, ndërsa Kokaj u zgjodh për shkak të pikëve më të ulëta në sllallom në krahasim me Vokshin.

Kiana Kryeziu ka përvojë olimpike, pasi ka përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022. Ndërkohë, Milano Cortina 2026 do të shënojë debutimin olimpik për Drin Kokajn.

Pjesëmarrja e dy skitarëve përbën një tjetër hap të rëndësishëm për sportet dimërore në Kosovë dhe një moment krenarie për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së