Këngëtarja e njohur Fifi ka folur hapur dhe pa filtra për marrëdhënien aktuale me kantautorin Flori Mumajesi, gjatë një interviste në podkastin e Grida Dumës. Përveç karrierës dhe jetës familjare, artistja ndau detaje të sinqerta për raportin e sotëm me njeriun që dikur e konsideronte një nga miqtë më të afërt dhe një figurë kyçe në rrugëtimin e saj artistik.
Dikur shokë shumë të mirë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, sot Fifi dhe Flori Mumajesi nuk kanë më asnjë komunikim. Këngëtarja pranoi se nuk ka informacion të drejtpërdrejtë për jetën apo gjendjen e tij, ndërsa rrëfimet që ka dëgjuar nga persona të tjerë i sheh me dyshim.
“Unë nuk e di fare as çfarë bën Flori, as si është. Kam pyetur, por përgjigjet që kam marrë nuk më kanë pëlqyer. Thuhen shumë fjalë dhe shpesh dalin të pavërteta”, u shpreh Fifi.

Në një nga momentet më emocionale të intervistës, ajo e quajti Florin “muzën time artistike përjetësisht”, duke treguar se pavarësisht distancës, respekti dhe vlerësimi për të mbeten të pandryshuara.
“I kam të mbyllura nga ai muret e komunikimit. Nuk e di pse, por uroj shumë që ai të jetë mirë”, tha këngëtarja, duke lënë të kuptohet se ndërprerja e kontaktit nuk ka ardhur nga ana e saj.
Sipas Fifit, largimi i Florit nga muzika mund të lidhet me zhgënjimin e tij nga industria dhe mungesa e vlerësimit për kontributin që ka dhënë ndër vite. “Është i zhgënjyer nga mosmarrja mbrapsht e asaj që ka dhënë, prandaj ndoshta është në atë gjendje që është”, shtoi ajo.
Flori Mumajesi prej kohësh është shkëputur nga muzika, duke zgjedhur heshtjen dhe distancimin nga publiku. Arsyet e vërteta të këtij vendimi mbeten ende të paqarta, ndërsa mungesa e tij vazhdon të ndihet fort në skenën muzikore shqiptare dhe të zgjojë interes të madh tek fansat.

