Liverpooli ka zyrtarizuar një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos, duke siguruar shërbimet e mbrojtësit francez Jeremy Jacquet nga skuadra e Rennes.
Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, “Reds” do të paguajnë rreth 70 milionë euro për kartonin e 19-vjeçarit, i cili konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit francez. Për shërbimet e Jacquet kishte interes serioz edhe nga Chelsea, por Liverpooli arriti të fitojë garën për nënshkrimin e tij.
Në bazë të marrëveshjes, Jacquet do të vazhdojë të jetë pjesë e Rennes deri në përfundim të sezonit aktual, ndërsa do t’i bashkohet zyrtarisht Liverpoolit në muajin korrik, para nisjes së edicionit të ri.
Ky transferim konfirmon ambiciet e klubit anglez për të rinovuar dhe forcuar repartin defensiv me lojtarë të rinj dhe perspektivë afatgjate, ndërsa Jacquet pritet të jetë një investim kyç për të ardhmen e skuadrës nga “Anfield”.

