Një vendim i pazakontë është marrë në Argjentinë në prag të Botërorit 2026.
Sipas mediave vendase, prindërit që nuk paguajnë detyrimet financiare për mbajtjen e fëmijëve nuk do të lejohen të hyjnë në stadiumet e Kupës së Botës.
Masa prek rreth 13 mijë persona dhe është ndërmarrë nga Bashkia e Buenos Airesit, e cila ua ka përcjellë autoriteteve amerikane listën e personave me pagesa të papërmbushura.
“Çdokush që nuk përmbush një detyrim kaq themelor si ushqimi dhe mirëqenia e fëmijëve të tij duhet të përballet me pasojat”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Buenos Airesit, Jorge Macri.
Sipas tij, personave që nuk respektojnë këtë obligim do t’u mohohet hyrja në stadiume gjatë Botërorit.
Kjo politikë nuk është e re në Argjentinë. Që nga marsi i vitit 2025, prindërit që nuk paguajnë kuotën e fëmijëve janë ndaluar të hyjnë në stadiumet e futbollit në vend. Deri më tani, kontrollet kanë identifikuar të paktën 162 tifozë që nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre.
Megjithatë, të gjithë personat e përfshirë në listë kanë ende mundësi ta rregullojnë statusin e tyre përpara ndeshjes së parë të Argjentinës në Botëror.
Kampionët në fuqi do ta nisin mbrojtjen e titullit më 17 qershor, në përballjen ndaj Algjerisë.

