Brazili e ka nisur me barazim rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, pasi u ndal 1:1 nga Maroku në ndeshjen e parë të Grupit C.
Marokenët ishin skuadra më e rrezikshme në pjesën e parë dhe kaluan në epërsi në minutën e 21-të me një supergol të Ismael Saibarit. Reagimi i brazilianëve erdhi shpejt, teksa Vinicius Junior realizoi një gol spektakolar në minutën e 32-të për të barazuar shifrat në 1:1.
Në pjesën e dytë Brazili mori kontrollin e lojës dhe krijoi më shumë raste, por nuk arriti të gjente golin e fitores. Në anën tjetër, Maroku mbeti i rrezikshëm në kundërsulme, ndërsa portieri Alisson Becker bëri dy pritje vendimtare në minutat shtesë për t’ia siguruar ekipit të tij një pikë.
Ndeshja u mbyll me rezultatin 1:1, duke bërë që të dyja përfaqësueset ta nisin turneun me nga një pikë.
Brazili u paraqit pa yllin Neymar Jr., i cili mungoi për shkak të lëndimit.
Në xhiron e dytë të Grupit C, Maroku do të përballet me Skocinë, ndërsa Brazili do të luajë ndaj Haitit.

