Aktualitet Lajme Politike

“S’ka bir nëne a bir k…”/ Rama për vizitën e tij në Zvicër: Në xhepin tim nuk ka një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas shpërndarjes së një videoje në media sociale ku pretendohej se ai shihej në Basel të Zvicrës duke konsumuar “me shpenzimet e shtetit”.

Rama i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se në thuajse tre dekada në shërbim publik nuk ka kryer asnjë udhëtim privat me fonde shtetërore, dhe se e njëjta gjë vlen, sipas tij, edhe për familjen e tij.

Kujtojmë  se ish-shefi i Policisë Vlorë,Dritan Zagani publikoi një video të kryeministrit Edi Rama në lokalet e Zvicrës.

Reagimi i plotë i Ramës:

Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit.. Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time.

Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit. Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona.

Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”: Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!

Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale. Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë.

Dhe mos e harroni asnjëherë: Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe gjelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja.

Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq.

You may also like

Lajme

Britaniku bleu tankun për 45 mijë euro duke mos e ditur se brenda kishte diçka më të çmuar – ar në vlerë prej 2.5 milionë

Një burrë që bleu një tank u habit kur zbuloi se kishte blerë më shumë sesa kishte pritur fillimisht. Në
Lajme

Nëntë veteranët e Kuvendit, u zgjodhën deputetë për të shtatën herë

Në Kuvendin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, janë 9 deputetë që kanë arritur