Pavarësisht humbjes së thellë 7-1 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026, Curaçao ka arritur të shkruajë historinë në futbollin botëror.
Ky shtet ishullor është bërë vendi me popullsinë më të vogël që ka marrë pjesë ndonjëherë në një Kampionat Botëror që nga themelimi i këtij kompeticioni.
Për këtë arritje të veçantë, Curaçao është futur zyrtarisht në Librin e Rekordeve Guinness. Certifikata përkatëse iu dorëzua presidentit të Federatës së Futbollit të Curaçaos, Gilbert Martina, në një ceremoni të organizuar gjatë turneut.
Pjesëmarrja në Botëror konsiderohet një sukses historik për vendin karaibik, i cili ka një popullsi prej vetëm rreth 150 mijë banorësh dhe po debuton në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Megjithatë, aventura e Curaçaos në Kupën e Botës nuk nisi në mënyrën e dëshiruar. Në ndeshjen hapëse të Grupit F, skuadra pësoi humbje të rëndë 7-1 nga Gjermania, një prej favoriteve për triumfin në turne.
Pavarësisht rezultatit, përfaqësuesja e Curaçaos tashmë ka siguruar një vend në histori, duke dëshmuar se edhe vendet më të vogla mund të realizojnë ëndrrën e madhe për të qenë pjesë e Kupës së Botës.

