Botërori 2026 Futboll Sport

Kush është Vozinha? Portieri 40-vjeçar që tronditi Spanjën në debutimin e tij dhe ‘fitoi’ rreth 6 milionë ndjekës

Një nga historitë më frymëzuese të fillimit të Kupës së Botës 2026 vjen nga portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha.

Në debutimin e tij në Botëror në moshën 40-vjeçare, gardiani veteran ishte protagonisti kryesor në barazimin historik 0-0 ndaj Spanjës. Me shtatë pritje vendimtare, ai ndali sulmet e një prej favoriteve të turneut dhe i siguroi vendit të tij pikën e parë në këtë edicion.

Pas paraqitjes së jashtëzakonshme, emri i Vozinhas u bë viral në mbarë botën. Portieri, emri i vërtetë i të cilit është Josimar Jose Evora Dias, pa numrin e ndjekësve në Instagram të rritej nga rreth 50 mijë në 5.7 milionë brenda pak ditësh, duke u kthyer në një nga sensacionet më të mëdha të këtij Botërori.

Rruga e tij drejt skenës më të madhe të futbollit nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai ka luajtur në klube të vogla në Angola, Moldavi, Qipro dhe Sllovaki, ndërsa aktualisht aktivizohet te skuadra portugeze Chaves.

Përveç performancës në fushë, emocionuan edhe fjalët e tij pas ndeshjes. Mes lotësh, Vozinha kujtoi gjyshërit që e rritën dhe që nuk jetojnë më.

“Po qaj sepse u rrita me gjyshërit e mi dhe ata nuk janë këtu. Ata ndërruan jetë disa vite më parë”, tha portieri.

Ai zbuloi gjithashtu se nëna e tij nuk mundi të ishte e pranishme në stadium për shkak të problemeve me vizën dhe kostove të udhëtimit.

“Edhe mami im nuk ishte këtu sot. Ajo kishte probleme me vizën dhe paratë për të udhëtuar, por jam shumë i lumtur për të gjithë njerëzit e Kepit të Gjelbër”, deklaroi ai.

Nga një portier pak i njohur për publikun ndërkombëtar, Vozinha është shndërruar brenda natës në një simbol të këtij Botërori, duke dëshmuar se futbolli vazhdon të prodhojë histori që shkojnë përtej rezultateve në fushë.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së