Botërori 2026, i cili do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, po përballet me kritika të shumta për komercializimin në rritje, ndikimin mjedisor dhe përfshirjen e faktorëve politikë në futbollin ndërkombëtar.
Turneu do të jetë më i madhi në histori, pasi FIFA ka zgjeruar numrin e pjesëmarrësve nga 32 në 48 kombëtare dhe numrin e ndeshjeve nga 64 në 104. Sipas kritikëve, ky format rrezikon të ulë cilësinë sportive të garës dhe ta zgjasë ndjeshëm turneun.
Një tjetër shqetësim lidhet me kostot e larta për tifozët. Çmimet e biletave, akomodimit dhe transportit janë rritur ndjeshëm, duke e bërë më të vështirë ndjekjen e ndeshjeve nga afër për shumë mbështetës të futbollit.
Debati është përqendruar edhe te marrëdhëniet mes FIFA-s dhe politikës. Ish-futbollisti gjerman Thomas Hitzlsperger ka shprehur shqetësime për afërsinë mes presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentit amerikan Donald Trump, duke argumentuar se interesat politike dhe ekonomike po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim në vendimmarrje.
Kritika të forta ka edhe për ndikimin mjedisor të turneut. Ekspertët paralajmërojnë se udhëtimet e shumta mes 16 qyteteve organizatore në tri shtete mund ta bëjnë Botërorin 2026 ngjarjen me gjurmën më të madhe të karbonit në historinë e sportit ndërkombëtar.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur po ashtu shqetësime për kufizimet e hyrjes në SHBA për qytetarë të disa vendeve, duke paralajmëruar se turneu mund të shoqërohet me përjashtime dhe tensione politike.
Pavarësisht kritikave, FIFA pret të ardhura rekord nga Botërori 2026, ndërsa miliona tifozë në mbarë botën pritet të ndjekin me interes ngjarjen më të madhe të futbollit. Për shumë vëzhgues, ky turne po shndërrohet në simbol të një futbolli ku interesat ekonomike dhe politike po marrin një rol gjithnjë e më të madh.

