Sonte do të mbahet finalja e madhe e “Ferma Vip 3” ku njëri prej 5 finalistëve pritet të rrëmbejë çmimin e madh, ndërkohë regjisori i këtij formati televiziv Eduart Grishaj ka zbuluar detaje nga finalja.
Në një intervistë të dhënë për “Mes’dritë” Grishaj zbuloi se finalja do të jetë shumë ndryshe nga seç e kemi parë deri më sot “Ferma VIp 3”, në një ambient të hapur, në natyrë, ashtu siç i shkon për shtat formatit.
“Do të jemi në qiell të hapur. Sot jemi komplet ndryshe; nuk jemi më brenda, por jashtë në natyrë, ashtu siç i shkon këtij formati, në mes të pyllit, në mes të ujit, kafshëve dhe shpendëve. Do të jemi të gjithë bashkë. Kemi ardhur te natyra, larg studios dhe teknologjisë së mbyllur” tha Eduarti.
Po ashtu, regjisori i cili prej vitesh ndan jetën dhe skenën televizive me partneren e tij, sot zbuloi disa copëza nga dashuria e tyre.
I pyetur se cili është veprimi i tij përpara se Arbana “të marrë në drejtim” skenën, Eduarti me nota humori tha se ai vetëm dy fjalë i thotë gjithmonë “Futu, dil!” duke theksuar se moderatorja ka probleme me ecjen për shkak të takave. Ndërsa zbuloi se me partneren e tij të jetës nuk ka nevojë të komunikojë, sepse ata janë shpirtra binjakë të njëri-tjetrit, aq sa kuptohen me një shikim.
Gjithashtu u zbulua se Arbana sonte mundet të dhurojë një performancë kërcimi ose këndimi.
“Arbana sot do të vijë me një surprizë në natën finale të “Ferma Vip 3”, do të kërcejë, mbase do e gënjejë vetja dhe do të këndojë. Gjithsesi kjo do të ndodhë në orën 21:30, që të njoftoi teleshikuesit që të largohen nga ekrani.
Studioja duket si një disk ufoje. Është e gjitha futuristike. Sonte do të kemi ndërthurje të teknologjisë me natyrën. Ka dhe hekur, dhe dru, dhe gjarpërinj dhe hardhuca” tha Eduarti.
Finalistët e këtij sezoni janë: Mimoza Ahmeti, DJ Bujaka, Soni Malaj, Elvis Pupa dhe Ilir Shaqiri. Njëri prej tyre pritet të rrëmbejë sonte fitoren e “Ferma Vip 3”.
Pjesë nga intervista:
Pyetja: Çfarë i thotë Eduarti Arbanës para se të fillojë spektakli?
Eduart Grishaj: Unë i them gjithmonë Arbanës futu dil, fut dil, se e ka problem ngaqë është e veshur me taka dhe ka problem me ecjen. Romanca jonë fillon pas spektaklit. Aty jemi thjesht kolegë që bashkëpunojmë shumë ngusht profesionalisht.
Me Arbanën nuk kemi nevojë që të flasim. Ne merremi vesh me sy.
