13 maji mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës. Pikërisht dhjetë vite më parë, Federata e Futbollit e Kosovës u pranua me të drejta të plota në FIFA, duke u bërë anëtarja e 210-të e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.
Me 86% të votave pro, Kosova shënoi një moment historik që ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare. Një dekadë më vonë, ky përvjetor kujtohet me krenari nga i gjithë komuniteti sportiv në vend.
Në një komunikatë zyrtare, Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti Agim Ademi vlerësuan këtë sukses si triumf të madh për futbollin dhe shtetin e Kosovës, duke kujtuar sakrificat dhe rrugën e gjatë drejt pranimit në FIFA. Në mesazhin e tij u përmend edhe kontributi historik i legjendës Fadil Vokrri, si dhe mbështetja e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Gjatë kësaj dekade, futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdhenj si në nivel klubesh, ashtu edhe me kombëtaren. Klubet kosovare kanë arritur rezultate historike në garat evropiane, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës ka qenë shumë pranë kualifikimit në gara madhore ndërkombëtare.

